Papunësia dhe migracioni: Sfidat kryesore ekonomike të Kosovës
- Posted on January 5, 2025
- lajmet
- By Redaksia e Lajmeve Post-tv
Zhvillimi ekonomik i Kosovës gjatë vitit 2024 shënoi rritje, por ndikimi i tij në përmirësimin e kushteve të përgjithshme mbeti i kufizuar. Papunësia dhe migracioni vazhdojnë të jenë sfidat kryesore për vendin, ndërsa çmimet e larta të produkteve dhe energjisë kanë rënduar xhepin e konsumatorëve.
Pavarësisht buxhetit prej 3.3 miliardë eurosh, kritikat ndaj qeverisë për menaxhimin ekonomik ishin të ashpra. Ndërkohë që qeveria raportonte për rritje ekonomike, opozita argumentonte se realiteti ekonomik është më i rëndë se paraqitjet zyrtare. Sfidat kryesore të këtij sektori përfshijnë rreziqet fiskale, krizën në sektorin e energjisë dhe ndikimin e tensioneve gjeopolitike.
Në muajt e parë të vitit, vendimi për ndalimin e dinarit serb shkaktoi reagime të shumta, duke çuar në disa takime të ndërmjetësuara në Bruksel. Megjithatë, dinari serb vazhdoi të qarkullojë lirshëm në komunat me shumicë serbe.
Për herë të parë që nga viti 1999, banorët e veriut të vendit u përballën me faturat e energjisë elektrike, me një pagesë fikse prej 21.60 euro. Deri më tani, vetëm 20% e qytetarëve të asaj zone kanë bërë pagesat.
Në sektorin energjetik, Kosova shënoi disa përparime: u funksionalizua tregu i përbashkët i energjisë Kosovë-Shqipëri, u nënshkrua kontrata prej 70 milionë eurosh për ankandin e parë solar, dhe u hap ankandi i parë për energjinë e erës. Tarifat e energjisë për konsumatorët u ulën me 8%, ndërsa mijëra qytetarë përfituan subvencione për izolimin e shtëpive dhe pajisjet ngrohëse efiçiente.
Edhe pse miliona euro u ndanë për blerjen e makinerive të avancuara, shumë biznese u mbyllën për shkak të mungesës së fuqisë punëtore dhe sfidave të tjera. Rritja e pagës minimale në 350 euro nga 1 tetori 2024 ishte një hap për të mbështetur punëtorët, por pakënaqësitë për pagat dhe kushtet e punës vazhduan.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se çmimet e konsumit u rritën me 0.7% në nëntor 2024, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2023. Ndërkohë, vlera e eksportit u rrit nga 819 milionë euro në 889 milionë, ndërsa importet kaluan nga 5.8 miliardë në mbi 6 miliardë euro.
Pritet që zhvillimi ekonomik i Kosovës të përshpejtohet në vitin 2025, me një rritje prej 5.6% në terma realë dhe 7.4% në terma nominalë. Konsumi publik pritet të rritet për shkak të rritjes së pagave në sektorin publik, ndërsa eksportet dhe importet do të vazhdojnë trendin rritës. Inflacioni parashikohet të reduktohet në 1.8%.
Megjithatë, sfida si presionet fiskale nga ndërmarrjet publike, kriza energjetike dhe ndikimet nga ndryshimet klimatike dhe tensionet gjeopolitike pritet të mbeten faktorë përcaktues për ekonominë e vendit.
Write a Response