Jasharaj paralajmëron greva pas 9 shkurtit nëse qeveria e re nuk përmbush kërkesat

  • Posted on January 9, 2025
  • lajmet
  • By Redaksia e Lajmeve Post-tv
IMG_5277-BPqqWckycq.png

Rrahman Jasharaj, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka paralajmëruar greva dhe protesta nëse qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit nuk përmbush kërkesat e sindikatës. Në një intervistë për Ekonomia Online, Jasharaj tha se SBASHK-u do të kërkojë dialog me çdo qeveri të ardhshme për të mbrojtur të drejtat e mësimdhënësve.

“Ne do t’i kërkojmë të drejtat tona, dhe nëse qeveria që vjen nga zgjedhjet e 9 shkurtit nuk i përmbush ato, do të ketë greva dhe protesta,” deklaroi Jasharaj.

Ai theksoi se Sindikata po ndjek me vëmendje fushatën zgjedhore dhe është e gatshme të bashkëpunojë me çdo parti politike që fiton zgjedhjet. “Premtimet janë të shumta, sidomos për rritjen e pagave dhe një qasje më pozitive ndaj sindikatave. Shpresoj që këto premtime të mbahen dhe të kemi një qasje më të mirë në të ardhmen,” tha ai, duke shtuar se vitet e fundit kanë qenë të vështira për sindikatat, veçanërisht nën qeverisjen e Albin Kurtit.

Jasharaj akuzoi qeverinë aktuale për mungesë dialogu dhe një qasje armiqësore ndaj sindikatave. Ai kritikoi kryeministrin Kurti dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati, për “bllokimin e Këshillit Ekonomik Social” dhe për mospranimin e kërkesave të SBASHK-ut për dialog.

“Qeveria Kurti ka pasur një qasje armiqësore ndaj sindikatave. Premtimet e tyre sociale para zgjedhjeve ishin të mëdha, por asgjë nuk u përmbush. Përkundrazi, ata kanë tentuar t’i shuhen sindikatat dhe të krijojnë një kontroll të plotë mbi punëtorët,” tha Jasharaj.

Ai gjithashtu kritikoi ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, për mungesë komunikimi me Sindikatën që nga greva e vitit 2022. Jasharaj e quajti të paqartë dhe jotransparente qasjen e Ministrisë në procesin e avancimit të mësimdhënësve.

Për zgjedhjet e ardhshme, Jasharaj shpreson se opozita ka mësuar nga gabimet e kaluara dhe se do të ketë një qasje ndryshe nëse vjen në pushtet. “Presim një fushatë të ngjeshur dhe do të shohim se çfarë na premtojnë të gjitha palët. Jemi të hapur për dialog me cilëndo qeveri që zgjidhet,” tha ai.

Në përfundim, Jasharaj bëri thirrje për një qasje më bashkëpunuese nga qeveria e ardhshme, duke theksuar se pa dialog dhe bashkëpunim të hapur, situata në sektorin e arsimit nuk do të përmirësohet.

0
Author
No Image
Redaksia e Lajmeve Post-tv

You May Also Like

Write a Response