Enver Hasani: Kurti ka garantuar paprekshmëri absolute për Kishën Ortodokse Serbe

  • Posted on January 8, 2025
  • lajmet
  • By Redaksia e Lajmeve Post-tv
IMG_5269-dlh4kh0hU2.jpeg

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të miratojnë Projektligjin për Liritë Fetare, i cili pritet të definojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe (KOS). Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, tha se miratimi i këtij ligji është në interes të të gjitha komuniteteve në Kosovë.

“Bëjmë thirrje për miratimin e Ligjit për Lirinë Fetare. Ky ligj është në interes të të gjitha komuniteteve dhe ftojmë deputetët e Kuvendit që ta mbështesin,” deklaroi Hipper.

Sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ndryshimet dhe miratimi i këtij ligji formalizojnë një realitet të krijuar për Kishën Ortodokse Serbe si pjesë e Marrëveshjes së Ohrit.

“Trajtimi preferencial i Kishës Ortodokse Serbe e ka origjinën te marrëveshjet e Ohrit dhe Brukselit. Ky ligj implementon dispozita që kanë të bëjnë me statusin e Kishës, duke i vënë një mbulesë juridike gjendjes ekzistuese. Për Kishën Ortodokse Serbe ka ekzistuar eksterritorialitet që nga Plani i Ahtisarit. Paprekshmëria absolute që po formalizohet është problematike për sovranitetin e shtetit laik të Kosovës,” tha Hasani për TV Dukagjini.

Hasani shtoi se ligji garanton një status të paprecedent për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, duke vendosur atë jashtë juridiksionit të shtetit. Ai e përshkroi këtë si një “cenim të sovranitetit dhe juridiksionit të shtetit laik”.

Në diskutimin e tij, Hasani ngriti shqetësime për dispozitat që lejojnë Kishën të kontrollojë ndërhyrjet ligjore brenda pronave të saj. Ai përmendi edhe rastin e sulmit në Banjskë, ku kishat u përdorën si strehë nga sulmuesit, duke theksuar se mungesa e një procedure të qartë ligjore për këto raste krijon probleme për institucionet e Kosovës.

“Në vend që të përfshiheshin dispozita të qarta për veprime në raste të tilla, ligji e formalizon gjendjen aktuale të operimit të Kishës Ortodokse Serbe dhe e bën paprekshmërinë e saj absolute. Ky është një cenim i qartë ndaj sovranitetit të shtetit,” tha ai.

Hasani gjithashtu vlerësoi se ndërhyrjet në ligj, megjithëse përfshijnë disa dispozita pozitive si kontrolli financiar dhe parandalimi i shpëlarjes së parave, në përgjithësi reflektojnë një zotim që Kryeministri Albin Kurti e ka marrë në Ohër për t’i garantuar privilegje Kishës Ortodokse Serbe.

“Kjo është esenca e këtij ligji – një formalizim i zotimit të Kurtit për paprekshmërinë absolute të Kishës Ortodokse Serbe,” përfundoi Hasani.

0
Author
No Image
Redaksia e Lajmeve Post-tv

You May Also Like

Write a Response