Grenell: Për 35 vite SHBA kishte marrëdhënie të shkëlqyshme me Rugovën e deri te kryeministri Hoti, por me Kurtin janë në krizë

  • Posted on January 6, 2025
  • lajmet
  • By Redaksia e Lajmeve Post-tv
IMG_5231-qlovHKqgan.jpeg

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për herë të parë në 35 vite janë “në krizë dhe partizane”, që prej ardhjes së Albin Kurtit si kryeministër. Këtë vlerësim e ka dhënë ish-i dërguari i posaçëm i administratës Trump për Misione të Posaçme, Richard Grenell, në një deklaratë ekskluzive për gazetën Nacionale.

Grenell vuri në dukje se marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së, që nga presidenti i parë Ibrahim Rugova deri te kryeministri Avdullah Hoti, kanë qenë gjithmonë bipartizane dhe “të shkëlqyera”, duke bashkëpunuar njësoj si me administratat Republikane ashtu edhe ato Demokrate. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk vlen për qeverisjen aktuale.

“Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti, që të gjithë kishin marrëdhënie të shkëlqyera me Republikanët dhe Demokratët në Amerikë. Hera e vetme në 35 vite kur marrëdhëniet Kosovë – SHBA (edhe Kosovë – BE) u bënë partizane dhe në krizë, janë me Albin Kurtin kryeministër,” tha Grenell për Nacionale.

Ai theksoi gjithashtu se kjo krizë nuk kufizohet vetëm në raportet me SHBA-në, por ka ndikuar edhe në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

Grenell përmendi faktin se Kurti ka mbështetur publikisht Partinë Demokrate gjatë dy zgjedhjeve presidenciale të fundit në SHBA. Në vitin 2020, Kurti publikoi një videomesazh në mbështetje të kandidatit Joe Biden, ndërsa në vitin 2024 mori pjesë në Konventën e Demokratëve, ku Kamala Harris u konfirmua si kandidate për zv/presidente.

Në një intervistë të dhënë së fundmi, kryeministri Albin Kurti u pyet nëse marrëdhëniet e tij të tensionuara me Richard Grenell dhe Republikanët mund të rëndojnë raportet me administratën e mundshme të Donald Trump.

“Jo,” tha Kurti, duke shprehur bindjen se marrëdhëniet me SHBA-në do të mbeten të mira. Ai përmendi si argument faktin se Kosova shpenzon mbi 2% të GDP-së për mbrojtje, pavarësisht se nuk është anëtare e NATO-s.

“Marrëdhënie të shkëlqyera,” i përshkroi Kurti raportet me SHBA-në, duke shtuar se bashkëpunimi përfshin fusha si diplomacia, mbrojtja dhe zhvillimi ekonomik. Ai përmendi blerjen e armëve, përfshirë sistemet Javelin, si një shembull konkret të bashkëpunimit strategjik.

“Nuk shoh kurrfarë vështirësish për marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA-në, që janë partneri ynë kryesor. Unë nuk besoj që do të ndikojnë në raportet tona,” tha Kurti.

Në lidhje me kritikat e Grenellit, Kurti shtoi: “Ish-emisari Grenell ka detyra për Korenë e Veriut, Venezuelën dhe misione të posaçme. Është e rëndësishme të shihet çfarë emërimesh të reja do të ketë në administratë.”

Kohët e fundit, figura nga Lëvizja Vetëvendosje kanë vijuar të kritikojnë publikisht Grenellin. Madje, në rrjetet sociale u përhapën lajme se Grenell kishte fshirë të gjitha postimet e tij kritike ndaj Kurtit në platformën “X” (ish-Twitter).

Lidhur me këtë, burime pranë Grenellit kanë sqaruar se profili i tij përdor një sistem automatik për të fshirë postimet e vjetra çdo katër muaj.

Sipas Nacionale, Richard Grenell, i emëruar si “Emisar Presidencial për Misione të Posaçme” nga ish-presidenti Donald Trump, do të ketë një fushëveprim të gjerë që përfshin edhe Ballkanin.

Fokusi i tij pritet të përfshijë dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale. Burime nga ekipi tranzicional i Trump kanë bërë të ditur se ekipi i Grenellit do të ketë bazën në Shtëpinë e Bardhë dhe do të luajë një rol vendimtar në çështjet e normalizimit të marrëdhënieve në rajon.

0
Author
No Image
Redaksia e Lajmeve Post-tv

You May Also Like

Write a Response