Tre deputetë të LVV-së në prag të kalimit në LDK
- Posted on November 1, 2024
- lajmet
- By Redaksia e Lajmeve Post-tv
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, zbuloi se të paktën tre deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) janë afër kalimit në LDK, duke ndjekur shembullin e deputetes Drita Millaku.
Duke folur në emisionin T7, Gashi tha se ka interesim për kalim edhe nga deputetë të tjerë të LVV-së; megjithatë, nuk ka ende finalizim përfundimtar. Ai theksoi se nuk do të zbulojë emra, pasi kjo mund të rrezikojë karrierat e tyre politike.
Gashi shtoi se këta deputetë mund të shfaqen në listën e kandidatëve të LDK-së për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Ai gjithashtu argumentoi se Vetëvendosja po përballet me stres dhe acarim të brendshëm, pasi disa deputetë të saj po refuzojnë autoritetin e drejtuar nga Albin Kurti dhe po zgjedhin LDK-në.
“Deputetët e Vetëvendosjes nuk po pranojnë t’i nënshtrohen diktatit të personave të paautorizuar dhe diktatit të Albin Kurtit, dhe po kalojnë në LDK. Qytetarët e Kosovës, sidomos ata 90 mijë votues të LDK-së që në vitin 2021 votuan për Vetëvendosjen dhe grupacionin e saj politik, kanë kuptuar që kjo ishte një zgjedhje e gabuar dhe po e gjejnë vetveten gjithnjë e më tepër në Lidhjen Demokratike të Kosovës,” tha Gashi.
Sipas tij, votues të rëndësishëm të LDK-së që mbështetën LVV-në në zgjedhjet e kaluara tashmë po rikthehen, duke marrë pjesë në proceset e brendshme zgjedhore dhe duke votuar për LDK-në në zgjedhjet lokale.
Sa i përket një kthimi të mundshëm të presidentes Vjosa Osmani në LDK, Gashi tha se ky është një vendim që duhet ta marrë ajo vetë, duke theksuar se ajo ka qenë një figurë e rëndësishme e partisë.
Write a Response