Shtëpia e Bardhë: Jemi të shqetësuar, situata në Kosovë është në tehun e thikës

  • Posted on January 8, 2025
  • lajmet
  • By Redaksia e Lajmeve Post-tv
IMG_5262-d5EmkONhx0.png

Zëvendës-këshilltari për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jon Finer, ka deklaruar se situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor mbetet një shqetësim i madh për Shtetet e Bashkuara. Gjatë një diskutimi në institutin ndërkombëtar Chatham House në Londër, ai vuri në dukje sfidat kryesore në rajon, përfshirë ndikimin rus dhe kinez, si dhe konfliktin e pazgjidhur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një analizë të politikës së jashtme amerikane nën udhëheqjen e Presidentit Joe Biden, Finer deklaroi: “Ekzistojnë dy vija kryesore ndarëse për të cilat jemi më të shqetësuar se për të tjerat” në Ballkanin Perëndimor. Ai theksoi se Presidenti Biden ka treguar përkushtim ndaj sigurisë së këtij rajoni që prej kohës kur drejtonte Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

Duke folur për Kosovën, Finer tha: “Njëra është situata në Kosovë, një aleat thelbësor i Shteteve të Bashkuara, që është në tehun e thikës.” Ai nënvizoi se qëndrimi amerikan është i qartë: Kosova duhet të mbetet një shtet sovran dhe të respektojë të drejtat e komuniteteve pakicë që jetojnë brenda saj.

Ai shtoi se administrata e Presidentit Biden ka qenë e angazhuar në mënyrë të vazhdueshme për të menaxhuar këto sfida, shpesh duke përdorur diplomaci të kujdesshme në prapaskenë.

Finer gjithashtu përmendi Bosnjën si një tjetër burim shqetësimi për SHBA-të. Ai theksoi: “Shqetësimi ynë tjetër është ndarja e mundshme e Bosnjës, ku të paktën njëri nga udhëheqësit, zoti Dodik, në formë retorike po ndjek një agjendë që bën thirrje për shpërbërjen e shtetit, të cilin ne e kundërshtojmë fuqishëm.”

Sipas tij, Marrëveshja e Dejtonit mbetet zgjidhja më e mirë për të ruajtur paqen në Bosnjë. “Nuk ka qasje më të mirë se (Marrëveshja) e Dejtonit për të ruajtur paqen në Bosnjë,” deklaroi ai.

Këto çështje, sipas Finer, janë sfida që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme dhe përpjekje të koordinuara ndërkombëtare.(VOA)

0
Author
No Image
Redaksia e Lajmeve Post-tv

You May Also Like

Write a Response