Rritje e Konsumit të Energjisë Elektrike: KESCO Apelon për Kursim Efikas
- Posted on November 12, 2024
- lajmet
- By Redaksia e Lajmeve Post-tv
Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka bërë të ditur se ulja e temperaturave ka sjellë një rritje të ndjeshme në kërkesën për energji elektrike, kryesisht për ngrohje.
Sipas të dhënave të publikuara nga KESCO, në ditët e para të nëntorit është regjistruar një rritje prej rreth 18% të konsumit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Kur ende nuk kemi hyrë në dimër, kërkesa ka shkuar në mbi 1100 megavat për orë në kohë pikut. Por, konsumatorët duhet ta kenë parasysh që Kosova ka tarifa që e nxisin kursimin e energjisë elektrike. Pra, sa më pak harxhojnë, aq më pak paguajnë jo vetëm si sasi, por edhe si çmim,” thuhet në njoftimin e kompanisë.
KESCO ka shpjeguar se tarifat për konsum ndahen në dy blloqe kryesore: deri në 800 kWh dhe mbi 800 kWh. Për konsumatorët që tejkalojnë pragun prej 800 kWh, çmimet janë dukshëm më të larta, duke bërë kursimin një hap të domosdoshëm.
Në mënyrë të veçantë, kompania ka apeluar për evitimin e ngrohjes me energji elektrike aty ku kjo është e mundur.
“Por, aty ku nuk është e mundshme, ndër metodat e kursimit është përdorimi i pajisjeve efiçiente, sikurse edhe përdorimi i ngrohjes në mënyrë efiçiente, duke mos krijuar temperatura shumë të larta,” thekson KESCO.
Kompania rekomandon që temperaturat në hapësirat e ngrohjes të jenë optimale për një mjedis të rehatshëm gjatë dimrit.
“Gjithashtu duhet të ngrohen vetëm hapësirat ku qëndroni e jo edhe ato ku nuk qëndroni. Izolimi i hapësirave të banimit është një hap tjetër i rëndësishëm që kursen rrymën që përdoret për ngrohje,” thuhet më tej në njoftim.
KESCO ka paralajmëruar se në javët e ardhshme do të nisë një fushatë sensibilizuese për kursimin dhe përdorimin efikas të energjisë elektrike, me sloganin “Deri n’800!”.
Write a Response