Rreth 350 ushtarë turq dislokohen në Kosovë

  • Posted on December 8, 2024
  • lajmet
  • By Redaksia Post-TV 3
kfor-N0Mqg0bP7t.jpg

KFOR- ka njoftuar sot se rreth 350 ushtarë nga Brigada e 65-të e Forcave të Armatosura të Turqisë, njësia e këmbësorisë së mekanizuar në kuadër të Batalionit të Forcave Operacionale Rezervë, janë dislokuar të dielen në Kosovë në mbështetje të misionit të NATO-s.

Me anë të një njoftimi në rrjetet sociale, bëhet e ditur se “rreth 350 ushtarë nga Brigada e 65-të e këmbësorisë së mekanizuar turke do të kryejnë një sërë aktivitetesh së bashku me trupat e tjera të KFOR-it dhe do të jenë të gatshëm për të reaguar ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm në situatën e sigurisë”.

KFOR- ka thënë mesh tjerash se është i pajisur mirë për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm të përshkallëzimit dhe për të përballuar çdo skenar të sigurisë, në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Turqia është aktualisht një nga vendet kryesore që ofron mbështetje për misionin e KFOR-it. Ky shtet ka pasur komandën njëvjeçare të KFOR-it nga tetori 2023 deri në tetor 2024. Kjo ka qenë edhe hera e parë që një zyrtar ushtarak turk ka komanduar një mision paqeruajtës të NATO-s në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.

Ndryshe, pas shpërthimit të dhunës vitin e kaluar në veriun e territorit kosovar, aleatët e NATO-s kanë dislokuar rreth 1 mijë forca shtesë në Kosovë – prezenca më e madhe e aleancës në dhjetë vitet e fundit. Gjithashtu, misioni paqeruajtës i NATO-s ka trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe kontrollet përgjatë vijës kufitare.

0
Author
No Image
Redaksia Post-TV 3

You May Also Like

Write a Response