Raporti i Asamblesë së NATO-s: Tensionet në veri të Kosovës dhe ndikimi rajonal
- Posted on January 8, 2025
- lajmet
- By Redaksia e Lajmeve Post-tv
Një raport i Asamblesë Parlamentare të NATO-s për vitin 2024 ka ngritur shqetësime mbi situatën e sigurisë në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara kryesisht nga serbë. Dokumenti 28-faqesh vë theksin te ndikimi i Rusisë dhe Kinës në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, duke e cilësuar atë si një faktor destabilizues për Ballkanin Perëndimor.
Raporti, i hartuar nga lordi britanik Mar Lancaster, kritikon qeverinë e Kosovës për qasjen e saj ndaj veriut të vendit dhe për moszbatimin e marrëveshjes së dialogut Kosovë-Serbi. Dokumenti identifikon dy çështje kryesore në thelb të konfliktit: mosnjohja e Kosovës nga Serbia dhe sfidat e integrimit të komunitetit serb në Kosovë, veçanërisht në komunat veriore.
“Mosnjohja nga Serbia dhe fushata ndërkombëtare kundër njohjes së Kosovës, si dhe çështjet e integrimit të popullsisë serbe, veçanërisht në komunat veriore, mbeten pengesa kryesore. Këto probleme, të kombinuara me veprimet e përshkallëzuara nga të dyja palët, kanë krijuar një situatë të tensionuar, me potencial të lartë për dhunë,” thuhet në raport.
Një tjetër pikë e përmendur në raport është hyrja e kryetarëve shqiptarë të komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – të shoqëruar nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës. Ky veprim, sipas raportit, rriti tensionet deri në atë pikë sa Serbia vendosi forcat e saj të armatosura afër kufirit me Kosovën.
“Pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara që të shmanget ky veprim, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, inkurajoi kryetarët e rinj të marrin detyrën, duke përdorur njësitë speciale të policisë për siguri. Kjo solli një rritje të dhunës, përfshirë përleshjet më 29 maj, ku u plagosën 93 pjesëtarë të KFOR-it,” thuhet në raport.
Gjithashtu, dorëheqja e zyrtarëve serbë të policisë ka krijuar një vakum institucional, duke përkeqësuar situatën në veri të Kosovës.
Njohësi i sigurisë, Drizan Shala, ka deklaruar se ndikimi i Rusisë në politikën serbe është një faktor kryesor që ushqen tensionet në rajon. “Beogradi po tenton në mënyrë të vazhdueshme të minojë institucionet e Kosovës dhe të kushtëzojë aktivitetet kushtetuese në veri,” ka theksuar Shala.
Raporti rekomandon që Kosova të përmbushë obligimet për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbisë i kërkohet të ndalë fushatën kundër njohjes së Kosovës. Duke iu referuar sfidave të sigurisë, NATO-s i sugjerohet të shqyrtojë shtimin e trupave në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë.
Televizioni Tëvë1 ka kontaktuar misionin paqeruajtës të KFOR-it për të pyetur nëse planifikojnë rritjen e pranisë në veri, por deri në publikimin e lajmit nuk kanë marrë një përgjigje zyrtare.(Teve1)
Write a Response