Qytetarët ulen këmbëkryq te kryqëzimi i Milotit në Shqipëri: I paguajmë çdo gjë shtetit, s’marrim asgjë
- Posted on October 29, 2024
- lajmet
- By Redaksia Post-TV 2
Në kryqëzimin e Milotit, Senad Nikshiqi raporton se disa qytetarë janë ulur ndenjur në mes të autostradës, duke bllokuar lëvizjen në krahun nga Lezha në drejtim të Tiranës.
Ka një numër më të madh protestuesish në këtë pikë që janë bashkuar nga qarku Shkodër, Lezhë dhe Kukës, ndërkohë që qytetarët nga Kurbini dhe Tropoja pritet që të bllokojnë anën tjetër të rrugës nga Tirana drejt Shkodrës dhe Lezhës.
Një qytetar nga zona e Tales në Lezhë tha për mikrofonin e A2 CNN se po proteston për shumë padrejtësi që bëhen në Shqipëri, duke shprehur vendosmërinë për të mos lëvizur nga rruga.
“Jam ul me protestue për të drejtat tona. Për dritat për ujë, për rrugë, për çdo gjë. Çdo gjë ja paguaj shtetit, asnjë gjë nuk ma garanton”, tha protestuesi.
Deputetja e qarkut Shkodër Greta Bardeli, e pyetur se përse kanë dalë në protestë, kërkoi që kjo pyetje t’i bëhet qytetarëve, sipas saj të shumtë që kanë dalë kundër qeverisë Rama.
“Është një protestë kundër çdo padrejtësie që po i bëhet jo vetëm zonës së Veriut por gjithë Shqipërisë. Shikoni numrin e lartë të emigracionit, mbylljen e shkollave dhe të shumë bizneseve në qarkun e Shkodrës”, tha Bardeli.
Write a Response