“Kurrë s’kanë qenë mediat kaq shumë kundër Qeverisë”, Kurti refuzon ta shpjegojë deklaratën e tij para gazetarëve
- Posted on December 9, 2024
- lajmet
- By Redaksia Post-TV 3
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të sqarojë para gazetarëve se në çfarë është bazuar kur ka deklaruar se asnjëherë më parë dhe më shumë se gjatë qeverisjes së tij katërvjeçare, mediat nuk kanë qenë kaq shumë kundër Qeverisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të shpjegojë se në çfarë është bazuar kur ka thënë se “kurrë nuk kanë qenë mediat kaq shumë kundër qeverisë” si gjatë mandatit katërvjeçar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), në krye të Qeverisë së Kosovës.
I pyetur nga gazetarët për këtë deklaratë gjatë përurimit të renovimeve në Klinikën e Radiologjisë, ai, megjithëse u pyet tre herë radhazi nga gazetarja, ka thënë se “jemi në Klinikën e Radiologjisë, për çështje të tjera flasim një herë tjetër”.
Kurti, gjatë takimit të dielën më kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje ka pretenduar se mediat kanë qenë kundër qeverisë gjatë katër viteve të fundit për dy arsye.
“E para, sepse ne nuk i paguajmë. E dyta, sepse tash mediat nuk frikësohen nga pushteti”, ka shtuar mes tjerash kreu i ekzekutivit.
Pas këtyre deklaratave, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj sulmeve verbale të kryeministrit Kurti, kundër mediave në Kosovë, duke i bërë gjithashtu thirrje kreut të ekzekutivit të ndalojë praktikën e nxitjes së urrejtjes kundër mediave.
“AGK-ja e dënon fuqishëm këtë gjuhë ofenduese dhe shumë të rrezikshme të kryeministrit Kurti, që i rendit mediat e Kosovës përkrah Serbisë. Një fjalor i tillë i papranueshëm që vjen nga kreu i qeverisë, direkt vë në rrezik sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias”.
“Në respektim të lirisë së medies dhe lirisë së shprehjes, gazetarët dhe mediet në Kosovë duhet të lejohen që të ushtrojnë punën e tyre për të mbajtur përgjegjëse qeverinë, pa u penguar dhe intimiduar nga pushteti”, thuhej në reagimin e AGK-së.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare në vend, zyrtarë të partisë në pushtet kanë ashpërsuar gjuhën ndaj mediave, duke i akuzuar shumicën prej tyre se janë rreshtuar përkrah aktorëve të jashtëm në një “luftë hibride” kundër Kosovës.
Kosova, sipas disa vlerësimeve të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, tashmë është në grupin e vendeve me situatë problematike të lirisë së shtypit, ndërsa raportet e mediave me qeverinë aktuale të Kosovës janë pothuajse në gradën e fundit për shkak të gjuhës armiqësore, fyese dhe denigruese të pushtetit kundër gazetarëve kosovarë
Write a Response