Kosova vendi më i varfër në rajon e Evropë, këto janë të ardhurat për kokë banori sipas BB-së
- Posted on January 6, 2025
- lajmet
- By Redaksia e Lajmeve Post-tv
Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha ekonomike, duke u renditur si vendi me të ardhurat më të ulëta për kokë banori në rajon dhe në Evropë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore (BB), të ardhurat mesatare për kokë banori në Kosovë janë vetëm 5,889 euro, shumë më pak se mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian dhe rajonit.
Nëdersa, Luksemburgu kryeson listën e BE-së me të ardhura për frymë prej 137,839 euro, i ndjekur nga Irlanda, Holanda, Danimarka dhe Austria. Ndërkohë, shkalla e varfërisë në Kosovë mbetet e lartë, me 19.2% të popullsisë që jeton nën pragun e varfërisë.
Zëvendësmenaxherja e Bankës Botërore për Kosovën, Jane Sprouster, thekson se për të zvogëluar varfërinë dhe për të përmirësuar mirëqenien, Kosova duhet të kalojë nga një ekonomi e bazuar në konsum në një model rritjeje konkurruese. Kjo kërkon krijimin e më shumë vendeve të punës cilësore, veçanërisht për të rinjtë.
Sprouster thekson rëndësinë e përmirësimit të infrastrukturës, nxitjes së inovacionit dhe diversifikimit të bazës prodhuese për të rritur eksportet dhe për të përshpejtuar tranzicionin drejt një ekonomie më prodhuese.
Sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike në Kosovë parashikohet të arrijë në 3.8% në vitin 2024 dhe 4% në periudhën afatmesme. Me përshpejtimin e rritjes ekonomike, niveli i varfërisë pritet të bjerë nga 19.2% në 2024 në 17.1% në 2025.
“Reformat e nevojshme, duke përfshirë një strategji të re energjetike dhe përmirësimin e sigurisë së ujit, janë thelbësore për të arritur zhvillim të qëndrueshëm,” tha Sprouster. Ajo shtoi se projekte të rëndësishme për zhvillimin e sektorit financiar dhe lehtësimin e tregtisë dhe transportit, me një vlerë totale prej 100 milionë dollarësh, janë planifikuar të fillojnë në 2025.
Kosova ka gjithashtu normën më të lartë të papunësisë në rajon, me vetëm 37% të popullsisë aktive të punësuar. Banka Botërore vë në dukje se reformat në tregun e punës dhe rritja e cilësisë së vendeve të punës janë kyçe për të adresuar këtë problem dhe për të përmirësuar standardin e jetesës.
Në vitin që lamë pas, Banka Botërore ka mbështetur Kosovën në projekte që përfshijnë forcimin e qeverisjes digjitale, edukimin e hershëm dhe sektorin shëndetësor. Në vitin 2025, instituti planifikon të ofrojë rreth 100 milionë dollarë në kredi dhe grante për projekte zhvillimore, duke synuar përmirësimin e politikave fiskale, investimeve dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Write a Response