Guri i LDK-së publikon emailin e Ministrisë së Financave drejtuar një vajze
- Posted on November 12, 2024
- lajmet
- By Redaksia Post-tv
Kryetari i Forumit Rinor të LDK-së, Paris Guri, ka publikuar një email, që sipas tij, Ministria e Financave i ka dërguar një vajze e cila kishte kërkuar ekzekutimin e pagës së saj. Guri e ka cilësuar emailin si një “skandal dhe të pabesueshëm,” duke theksuar se në përgjigjen e Ministrisë së Financave ishte shkruar: “Mendjemadhësinë mbaje për vete.”
Në një video të publikuar nga ai, Guri tregon se shteti nuk ka ekzekutuar pagat për të rinjtë e punësuar përmes programit “Super Puna.”
“SKANDAL; E PABESUESHME”
“Në një email dërguar Ministrisë së Financave, një vajzë e re ka kërkuar të dijë arsyen pse nuk i është ekzekutuar paga e merituar, pasi është angazhuar përmes entit të punësimit, ku gjysma e pagës së saj mbulohet nga Ministria. Me një ton fyes, shteti që nuk ia ka ekzekutuar pagën për muaj me radhë, i thotë ‘MENDJEMADHËSINË RUAJENI PËR VETEN TUAJ’. Kjo është një fyerje e papranueshme nga ana e shtetit!”
Guri vazhdon duke theksuar: “Kushdo që e ka shkruar këtë email duhet të japë dorëheqjen. Në një qeveri të zakonshme, një ministër normal do të kërkonte falje publike për këtë incident. Por, fatkeqësisht, as qeveria e as ministri aktual nuk tregojnë sjellje të përgjegjshme. Qasja e tyre arrogante duket qartë edhe në përgjigjet zyrtare!”
“Shteti nuk është i juaji për të abuzuar në këtë mënyrë! Këtë nuk do ta tolerojmë!” - u shpreh ai.
Write a Response