FSK certifikon grupin e pestë të kursantëve nga Ukraina
- Posted on October 24, 2024
- lajmet
- By Redaksia e Lajmeve Post-tv
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka certifikuar grupin e pestë të kursantëve nga Ukraina, të cilët përfunduan një trajnim intensiv gjashtë-javor të ofruar nga instruktorët e Kompanisë së Deminimit të FSK-së dhe instruktorët amerikanë të EUCOM.
Gjatë këtij trajnimi, kursantët u përgatitën në njohjen dhe identifikimin e mjeteve shpërthyese, përdorimin e pajisjeve specialistike dhe zbatimin e procedurave të sigurta për largimin e mjeteve të pashpërthyera. Ky program kishte për qëllim të pajiste kursantët me aftësitë e nevojshme për kryerjen e detyrave të tyre në terren në mënyrë sa më efektive dhe të sigurt.
“Zëvendëskomandanti i Gardës Kombëtare të FSK-së, Kolonel Skender Hoxha, i uroi kursantët për përfundimin e suksesshëm të trajnimit, duke vlerësuar rëndësinë e këtij trajnimi dhe rolin fisnik të misionit të tyre,” thuhet në njoftimin e FSK-së.
Pas përfundimit të trajnimit, kursantët do të kthehen në Ukrainë për të kontribuar në njësitë e tyre për eliminimin e mjeteve të pashpërthyera, duke ndihmuar në zvogëlimin e rrezikut për sigurinë e popullit ukrainas.
Write a Response