Ekskluzive: Sekretari i Forumit Rinor të LDK-së Egzon Pacolli ngrit padi për shpifje ndaj deputetit të VV-së Adnan Rrustemi
- Posted on October 21, 2024
- lajmet
- By Redakesia Post-tv
Në një intervistë ekskluzive për Post TV, Egzon Pacolli, Sekretar i Përgjithshëm i Forumit Rinor të LDK-së, ka bërë një deklaratë të fortë duke reaguar ndaj akuzave të fundit që i janë drejtuar, të cilat ai i cilëson si të pabaza dhe të pavërteta.
Ai theksoi se këto akuza kanë si qëllim të diskreditojnë figurën e tij dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm në politikë, duke theksuar se profili i tij publik dhe angazhimi janë të dokumentuara dhe transparente.
“Akuzat që më janë bërë janë të pabaza, të pavërteta dhe kanë si qëllim të qartë të më diskreditojnë. Nuk ka asnjë fakt që të më lidhë me akuza të tilla,” ka thënë Pacolli.
Ai e lidh këtë fenomen me një kulturë të shpifjeve dhe propagandës që, sipas tij, ka karakterizuar veprimtarinë e Lëvizjes Vetëvendosje-VV.
“Nuk është e rastësishme që shpifjet po vijnë në këtë kontekst, sepse VV-ja është ngritur në bazë të shpifjeve dhe propagandës,” theksoi Egzoni, duke shtuar se rrethanat kanë ndryshuar dhe se tash e tutje, sa herë që shpifin, do të përballemi me fakte.
Duke u ndalur në ndikimin e këtyre akuzave, Pacolli shprehu shqetësimin se ky lloj diskursi politik jo vetëm që dëmton reputacionin e individëve, por gjithashtu pengon zhvillimin demokratik dhe krijon përçarje në shoqëri. Ai kritikoi ashpër deputetë të caktuar, duke përmendur emrin e Adnan Rrustemit si një nga ata që kanë kontribuar në këtë kulturë sulmesh personale, duke theksuar se akuzat e pabaza dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet dhe figurat publike.
“Politika duhet të bazohet në ide dhe programe, jo në sulme personale, këto praktika vetëm largojnë fokusin nga temat e rëndësishme për shoqërinë,” tha Egzoni, duke dënuar përdorimin e gjuhës së ashpër dhe akuzave personale.
Përveç kësaj, ai e theksoi se padia e ngritur ka si qëllim të dërgojë një mesazh të qartë se shpifjet dhe akuzat e pabaza nuk do të tolerohen.
“E drejta dhe integriteti personal janë të pacenueshme, dhe secili duhet të kërkojë drejtësi,” u shpreh ai, duke e cilësuar këtë veprim si një shembull që shpifjet nuk duhet të tolerohen.
Pacolli bëri thirrje për një kulturë të re të përgjegjësisë publike, ku çdo individ ka të drejtë të mbrojë reputacionin e tij pa frikë nga sulmet e pabaza.
“Në politikë, duhet të kemi vendosmëri dhe guxim, ftoj të gjithë që të mos ndalen para askujt për të mbrojtur integritetin personal dhe politik,” përfundoi ai, duke apeluar për një angazhim më të fortë për transparencën dhe përgjegjësinë në politikë./PostTv/
Write a Response