Dy të dyshuar arrestohen për trafikim narkotikësh në Kosovë
- Posted on November 2, 2024
- lajmet
- By Redaksia e Lajmeve Post-tv
Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e dy personave të dyshuar për përfshirje në trafikim të substancave narkotike gjatë një operacioni të kryer më 1 nëntor 2024.
Hetuesit nga Sektori Qendror për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me agjenci të tjera të sigurisë, ndaluan një automjet në dalje të autostradës në fshatin Mazgit rreth orës 19:00, ku gjatë kontrollit u zbuluan rreth 9 kilogramë substancë e dyshuar si marihuanë.
Gjatë kontrollit të pasagjerëve, u gjetën edhe 0.5 gramë substancë e dyshuar si kokainë dhe rreth 94 gramë marihuanë tek njëri prej tyre, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës. Në vijim të hetimeve, autoritetet kontrolluan dy lokacione të tjera, ku u zbuluan gjithsej 16 gramë kokainë dhe 418 gramë marihuanë.
Sipas Policisë, sasia totale e narkotikëve të konfiskuar, që përfshin rreth 9.5 kilogramë marihuanë dhe 16.5 gramë kokainë, kap një vlerë tregu prej rreth 15 mijë eurosh. Po ashtu, u konfiskuan një automjet dhe një telefon.
Pas intervistimit të të dyshuarve, prokurori kujdestar lëshoi aktvendimin për ndalimin e dy të dyshuarve, të identifikuar si R.H., 59 vjeç, dhe A.Z., 26 vjeç, të dy shtetas të Kosovës.
Write a Response