37.5% e anëtarëve të Qeverisë së Kosovës përballen me probleme ligjore, sipas raportit të IKD-së
- Posted on December 12, 2024
- lajmet
- By Redaksia e Lajmeve Post-tv
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin me titull: “Qeverisja me duar të pastërta dhe hetimi i korrupsionit qeveritar”, ku evidentohen shqetësime lidhur me përfshirjen e anëtarëve të Qeverisë së Kosovës në çështje ligjore.
Florian Smajli, hulumtues në IKD, gjatë konferencës për media të mbajtur të enjten, deklaroi se monitorimi i institutit ka treguar se gjashtë anëtarë të Qeverisë (pesë ministra dhe Kryeministri Albin Kurti) kanë pasur ose kanë aktualisht probleme me ligjin.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka një sërë ministrash që përballen me probleme ligjore, përfshirë të akuzuar dhe të dënuar për vepra penale nga kapitulli i korrupsionit, e që vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre. Aktualisht, sipas të dhënave të monitorimit, 37.5% e përbërjes së Qeverisë përbëhet nga persona me probleme ligjore,” deklaroi Smajli.
Smajli bëri të ditur se katër ministra të Qeverisë kanë raste aktive në gjykata, të cilat përfshijnë edhe vepra penale nga kapitulli i korrupsionit zyrtar dhe veprave kundër detyrës zyrtare. Ministrat me aktakuza aktive janë Xhelal Sveçla, Arbërie Nagavci, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla. Megjithatë, Smajli theksoi rëndësinë e respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë.
“Ndër anëtarët e Qeverisë ka edhe persona të dënuar me vendime të formës së prerë, përfshirë Kryeministrin dhe Ministren e Drejtësisë, të cilët në vitin 2018 u dënuan për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar. Për shkak të këtyre dënimeve, ata nuk u certifikuan nga KQZ për të kandiduar në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021,” sqaroi ai.
Gjithashtu, Ministrja Rozeta Hajdari u dënua në vitin 2022 për veprën penale të “Mosraportimit ose raportimit të rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave apo detyrimeve financiare,” një vepër që bën pjesë në kapitullin e korrupsionit zyrtar.
Smajli kujtoi se Qeveria aktuale mori një shumicë absolute votash duke premtuar luftën kundër korrupsionit, një mbështetje që nuk është parë më parë në Kosovën e pasluftës.
“Programi zgjedhor i partisë në pushtet theksonte angazhimin për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa Programi Qeverisës 2021-2025 premtonte fokus të veçantë në këtë drejtim. Deklaratat e qeverisë përfshijnë zotimet për luftimin pa kompromis të krimit të organizuar dhe korrupsionit,” theksoi ai.
Raporti u publikua në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2024”, një iniciativë e organizuar nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile, përfshirë IKD, FOL dhe INPO, nën moton “Bashkë Kundër Korrupsionit,” dhe me mbështetjen e Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL).
Write a Response